Politikisht të zhveshur: skanimi trupor dhe të drejtat e njeriut

Skanerët trupor që do të porositen nga qeveria me kërkesë të Kuvendit, hetojnë objekte që janë në trupin e njeriut duke shfaqur detajisht të gjitha pjesët e trupit njëjtë sikur personi të qëndronte i zhveshur para oficerit të sigurisë.

Sipas raportimeve të javës së kaluar në media, Kuvendi i Kosovës ka inicuar blerjen e skanerëve truporë të cilët imtësisht identifikojnë sendet e bartura në trup. Kësisoj, Kuvendi dhe Qeveria synojnë ta zgjidhin problemin disa mujor të futjes së bombulave të gazit lotsjellës. Edhe pse kjo mbase pjesërisht do ta pengonte futjen e mundshme të bombolave të gazit në Kuvend, në anën tjetër do të krijonte një tjetër problem i cili nëse nuk trajtohet me kujdes dhe sipas normave të caktuara lehtë mund të bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe të drejtën për privatësi të mbrojtur me konventa ndërkombëtare.

Skanerët trupor që do të porositen nga qeveria me kërkesë të Kuvendit, hetojnë objekte që janë në trupin e njeriut duke shfaqur detajisht të gjitha pjesët e trupit njëjtë sikur personi të qëndronte i zhveshur para oficerit të sigurisë. Përveç që këta skanerë shfaqin detajisht pjesët dhe format e trupit, ata mund të zbulojnë edhe parregullsi mjeksore, implante të ndryshme dhe shenja specifike në lëkurën e njeriut, duke e bërë përdorimin e tyre shqetësim për të dhënat personale, privatsinë dhe të drejtat e njeriut.

Kështu, këta skanerë mund të detektojnë imtësisht formën dhe madhësine e organeve seksuale tek meshkujt dhe gjoksit tek gratë, dëshmi për mastektomi, gjymtyrët prostetike ose mbajtësit e implantuar të tyre, dhe informacion tjetër mjekësor, e deri tek detektimi i ciklit menstrual për shkak të përdorimit të tamponëve apo pecetave higjenike.

Që prej Platonit, e deri tek Dekartes, trupi dhe lakuriqësia janë parë si shkak i uljes së njeriut tek niveli kafshëror. Kësisoj, rrobat përveç funksionit të tyre mbrojtës, në kontekstin social kanë shërbyer si karakteristika më themelore e dallimit mes njeriut dhe kafshëve. (Për më shumë lexo Susan Bordo, Introduction: Feminism, Western Culture, and the Body, në UNBEARABLE WEIGHT 1, 1–42 (1993)

Përdorimi i skanerëve trupor, përveç që rrezikon të shkelë rëndë privatësinë dhe krijon shqetësim për dhunimin e të drejtave të njeriut, shërben edhe si formë e degradimit njerëzor i cili bie ndesh me normat e krijuara sociale e kulturore.

Përdorimi i këtyre skanerëve në Kuvend shumë lehtë mund të implikojë shkelje të së drejtës së respektimit të jetës private, të drejtës së lirisë së mendimit, ndërgjegjës dhe religjionit, të drejtën e trajtimit të barabartë, dhe të drejtën e mbrojtjes së dhënave personale, dhe specifikisht bie ndesh me të drejtën e privatësisë të mbrojtur me Nenin 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), Nenin 7 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian (CFREU), Nenin 17 të Kartës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) dhe Nenin 29 të Deklaratës Universale për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (UDHR).

Vetë privatësia si nocion legal, rrjedhë nga nocioni Kantian i dinjitetit njerëzor dhe autonomisë personale, dhe përdorimi i mjeteve të tilla vënë në pikëpyetje dhe dhunon edhe vetë dinjitetin njerëzor. Duke marrur parasysh informacionin mjekësor që skanerët respektiv janë në gjendje të zbulojnë, mbrojtja e të dhënave mjekësore, të konsideruara të mbrojtura me ligj edhe në Kosovë, sipas ECtHR në Z v. Finlandës, përbënë “rëndësi themelore në gëzimin e të drejtës për t’u respektuar jeta private dhe familjare”. Askush nuk ka të drejtë të ketë qasje në informacion të tillë personal përveç në rastet e rregulluara me ligj.

Gjykata Europiane pët të Drejtat e Njeriut (ECtHR) nuk e ka kufizuar Nenin 8 për privatësinë, duke i dhënë kështu një interpretim të gjerë, duke deklaruar se koncepti i “jetës private“ është term i gjerë dhe jo koncept i shterrueshëm, që përfshinë integritetin fizik dhe psikologjik dhe përfaqëson aspekte të shumta të identitetit fizik dhe social të personit. (shih: S and Marter v. Mbretërisë së Bashkuar).

Edhe ECtHR edhe Këshilli i OKB’s për të Drejtat e Njeriut kanë theksuar se duhet ndërmarrur përkujdesje rigoroze (Wainwright v. Mbretërisë së Bashkuar) dhe masa efektive (CCPR, GC No. 16) në mbrojtje të personave që janë subjekt i kërkimit trupor në mënyrë që privatësia e tyre të mos shkelet. ( për të dhënat e zbuluara nga procesimi automatik shih: Council of Europe, Convention for the Protection of Individuals with regard to Automatic Processing of Personal Data, Strasbourg, 28 January 1981 ).

Autoritetet kanë të drejtë të ndërhyjnë në jetën private vetëm në rastet e rregulluara me ligj, dhe sipas të drejtës ndërkombëtare legjislacioni që lejon autoritetet të kufizojnë privatësinë në kutpimin e Nenit 8(2) në rrethana të veçanta dhe kur një gjë e tillë paraqitet si e domosdoshme, duhet të ketë bazë vetëm në situatat e interesit dhe sigurisë kombëtare dhe në rastet e parandalimit të veprës penale apo trazirave që mund të rrezikojnë rendin kushtetues dhe demokracinë, konfirmuar edhe nga ECtHR në paragrafin 48 në çështjen Klass dhe të tjerët v. Gjermanisë.

Të gjitha masat që i japin autoriteteve kompetencë të ndërhyjnë në të drejtën për respektimin e jetës private dhe të dhënave personale duhet të bëhen në bazë të ekzistencës eksplicite dhe të detajuar të normave legale që rregullojnë çështjet lidhur me pesonin e autorizuar që mund të ketë qasje në informacionin e caktuar, procedurat që duhet të ndiqen dhe natyrën informacionit të marrur, dhe kjo kur këto masa të marra janë të autorizuara dhe përbëjnë shqetësim për sigurinë kombëtare. (shih: ECtHR Rotaru v. Romania)

»Aksionet e opozitës në Kuvend, deri tani vetëm hetohen për vepër penale por ende nuk kemi marrë konfirmim nga instancat gjygjësore që veprime të tilla përbëjnë vepër penale, e as rrezikim të rendit kushtetues apo i sigurisë kombëtare, kësisoj është e paqartë nëse veprimet e deputetëve arrijnë në një nivel ku masa të tilla do të ishin proporcionale« Arbër Ahmeti

Rrjedhimisht, nuk ekziston asnjë platformë që rregullon përdorimin e këtyre skanerëve sipas standardeve të caktuara, dhe që do ta bënte të arsyetueshme vendosjen e skanerëve trupor në kuvend. Mungesa e rregulloreve të caktuara dhe kodeve procedurale siç kërkohet me standardet e të drejtave të njeriut, rrezikon të mos jetë në pajtueshmëri të plotë me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat Kosova i ka pranuar me kushtetutë, dhe të cilat kanë aplikueshmëri direkte në legjislacionin e Kosovës. Në arsyetimin për vendosjen e skanerëve nuk mund të gjendet bazë që do të legjitimonte një derogim të mundshëm sipas Nenit 8(2) ECHR.

Edhe nëse standardet e caktuara do të ishin të rregulluara, në rastin e Kosovës arsyetimi vështirë se do të përmbushte kriteret që një akt i tillë të jetë në pajtim me Nenin 8 të ECHR. Si shembull e kemi çështjen Gillan dhe Quinton v. Mbretërisë së Bashkuar ku gjykata njëzëri konstatoi që Ligji i MB për Terrorismin i vitit 2000, është shkelje e Nenit 8 për arsye se principi “në pajtim me ligjin” i këtij neni nuk ishte realizuar. Prandaj edhe pse baza për dyshim të bazuar ekziston në rastin tonë, kalimi nëpër skaner pa pasur opcionin tjetër të zgjedhjes nga ana e subjektit, nuk përkon me praktikat e përcaktuara në vendet Europiane.

Meqë një ndër prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në Këshillin e Europës, një veprim i tillë do të linte pasoja në kuadër të përpjekjeve dhe progresit për anëtarësim, përderisa ndaj vetë deputetëve, do të përdoreshin masa që arsyetohen në rastet e dyshimit të bazuar për terrorizëm, në kontekstin e privatësisë, një veprim i tillë mbetet të interpretohet nëse do të ishte në “pajtim me ligjin”.

Bashkimi Europian, e ka ndaluar përdorimin e këtyre skanerëve brenda territorit të tij, në bazë të shqetësimeve për sigurinë dhe shëndetin, përmes rregullores së Komisionit Europian të vitit 2011, në kuadër të mundësisë që ekspozimi i individëve ndaj skanerit të rrisë gjasën e zhvillimit të kancerit të lëkurës, dhe lejon përdorimin e tyre vetëm në raste shumë të veçanta, dhe atë me kujdes të shtuar që të mos shkelet e drejta e privatësisë dhe të ruajtjes së të dhënave personale dhe dinjitetit njerërzor.

Gjykata Europiane e Drejtësisë në çështjen Kadi v. Këshillit dhe Komisionit të BE, morri qëndrimin që edhe provizioneve me një bazë sipërfaqësore në të drejtën europiane mund të jenë në kundërshtim me vetë  të drejtën europiane si pasojë e mungesës së kualitetit të ligjit që mund të jetë në kundërshtim me standardet europiane për të drejtat e njeriut, dhe rrjedhimisht një veprim i tillë i qeverisë dhe kuvendit që nuk i përmbushë kriteret të jetë “në pajtim me ligjin”, është kundër praktikave dhe normave europiane. Poashtu, Neni 6 i Traktatit për Unionin Europian konsideron Kartën e BE për të Drejtat Fundamentale si të barabartë për nga vlera dhe fuqia juridike me Traktet e BE’së.

Nga praktika kemi parë se në Kosovë shumë lehtë keqpërdoren të dhënat personale, bëhen publike në mënyrë të paautorizuar dhe kësisoj shkelet edhe e drejta e subjekteve për privatësi dhe ruajtje të të dhënave (shih rastin e Znj. Albulena Haxhiu), prandaj edhe instalimi i këtij skaneri përveç që përbën rrezik për shëndetin e personave që ekspozohen ndaj tij, poashtu përbënë rrezik edhe të shkeljes së drejtave të sipërpërmendura, sidomos në situatën e politizuar në të cilën gjendet Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. (për keçpërdorimin e të dhënave personale dhe politizimit e AShMDP, shih: Flutura Kusari: Nisma për ta forcuar censuruesin e dëshmuar)

Kosova si shtet ka për obligim të respektoj, mbrojë dhe përmbushë të drejtat e njeriut, obligim i cili është paraparë edhe në preambulën dhe nenet 55 dhe 56 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Kësisoj, vendosja e skanerëve truporë në kuvend rrezikon të jetë në disproporcion  me standardet demokratike dhe kësisoj të bie në kundërshtim me instrumentet dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si akti më i lartë që mbronë të drejtat individuale.


[Botuar tek: SBunker]

Arbër Ahmeti është jurist, aktualisht duke ndjekur studimet post-diplomike në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës. Ai është kontribues për Raportet e Oksfordit për të Drejtën Ndërkombëtare në Gjykatat Vendore, punë të cilën e kryen nga Departamenti për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Europiane të Universitetit të Vjenës. Arbëri është zëvendëskryesues i Komitetit Hulumtues për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Qeverisje të Asociacionit Ndërkombëtar të Studentëve të Shkencave Politike (IAPSS), si dhe autor për blogun e tyre "A different View". Interesat e tij hulumtuese fokusohen në të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, Politikat e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Europian, përdorimin e forcës dhe të drejtën e vetëmbrojtjes në të drejtën ndërkombëtare, aplikimin e teorisë së lojës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe raportin mes të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY