Diskursi publik dhe kriza politike: venë e vjetër në gota të reja

Fjalët Zajednicë, tradhëti kombëtare, projekt racist etnik, planet serbe ekspansioniste e neo-kolonizatore, shitja e Kosovës nga qeveritarët e shumë terma të tjerë të përdorur nga opozita, me qëllim që të japin një efekt masiv tek qytetarët, kanë fuqizuar opozitën brenda diskursit publik në raport me qytetarët.

Kriza politike që pasoi pas nënshkrimit të marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë në Samitin e Vjenës, mbase shënon momentin më kompleks në arenën politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Tashmë, kjo krizë politike shënon ndarjen më të thellë në mes të akterëve politikë, në historinë politike të Republikës së Kosovës, dhe jo vetëm por shënon edhe definimin e një të ardhme shumë të paparashikueshme për sa i përket përfundimeve që mund të sjellë kjo krizë.

Ky konflikt, nuk erdhi si rrjedhojë e nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë, e as si pasojë e veprimeve jopolitike të opozitës në organin legjislativ, por fillimisht ndërtoi bazat e saj në mosgatishmërinë e qeverisë për t’iu adresuar shqetësimeve dhe debatit që fillimisht kishte nisur opozita me kundërshtimin e marrëveshjeve respektive.

Kjo mendjemadhësi politike e partive në pushtet, të cilat vazhdimisht kanë injoruar principet e përgjegjësisë dhe raportimit të veprimeve të tyre tek qytetari, e në të njëjtën kohë në një mënyrë autoriate kanë refuzuar t’i diskutojnë apo braktisin nismat e tyre në kuadër të qeverisë edhe kur ato është dashur të përmbushen në rrugë jolegjitime, ka dhënë një rezultat jo të habitshëm në skenën politike kosovare.

Mungesa e sjelljes konform principeve demokratike të llogaridhënies ndaj qytetarit, marrjes së përgjegjësisë për veprimet në të cilat qeveria angazhohet, dhe respekti i principleve kushtetuese të së drejtës së brendshme, si fenomen i cili edhe pse është politik, është jo demokratik, ka legjitimuar sjelljen jopolitike të opozitës në kuvend.

Sidoqoftë, shqetësimi jonë nuk është t’i bëjmë një analizë politike konfliktit pozitë-opozitë, dhe as të biem në grackën e përcaktimit të të ‚mirit‘ dhe ‚të keqit‘, por të analizojmë diskursin publik i cili dukshëm është struktuaruar dhe dominuar nga Lëvizja Vetëvendosje (tash e tutje Vetëvendosje) si aktori më influent i opozitës, me mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.

Kësisoj, hendeku i thellë i krijuar midis partive në pozitë dhe atyre opozitare, ka reflektuar në krijimin e dy çasjeve brenda diskursit, qasja Westphaliane e cila proklamohet nga partitë opozitare, të cilat në intepretimine tyre janë në mbrojtje të sovranitetit të Republikës, idesë së Bashkimit Kombëtar, mbrojtjes së principeve kushtetuese dhe të drejtës së vetëvendosjes, dhe në rastin e dytë çasja liberale perëndimore apo integracioniste e përfaqësuar nga partitë në pushtet, ku sipas intepretimit të tyre, me veprimet e tyre ata përfaqësojnë thellimin e partneritetin me vendet perëndimore dhe SHBA, të ardhmen e Kosovës si anëtare e Kombeve të Bashkuara, Unionit Europian dhe Paktit të NATO‘s, si e vetmja e ardhme e sigurt për Republikën e Kosovës.

Retorika e Konfliktit Politik

Analizimi i dekaratave të përfaqësuesve të akterëve politik, në kuadër të diskursit, në të cilin ata marrin pjesë, në fjalët e Foucault si mënyra të veçanta të ekzistencës (Foucault, 1972, f. 100) që lejojnë ekzistencën e grupeve të shenjave dhe aktivizojnë rregullat apo format të bëhen manifest,(ibid. 99) ku deklaratat me referencë tek proceset që shkaktuan krizën politike bëhen funksion i cili na lejon ta njohim dhe izolojmë aktin e formulimit (ibid, 98) të deklarimeve të caktuara.

Deklarimet e përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, me referencë ndaj të njëjtit proces apo fenomen por që thellësisht kundërshtojnë njëra tjetrën, vendosin qeverinë dhe opozitën në një juxta-pozicion i cili ka vënë në pikëpyetje të gjitha vlerat e shtetndërtimit të Kosovës.

Qeveria vazhdimisht deklaron që marrëveshjet e nënshkruara në Vjenë, janë një hap përpara drejt integrimit Europian të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Vetëvendosje-AAK-NISMA, thërret dorëheqjen e qeverisë për shkak të dështimit të saj ti mbrojë interesat e Kosovës, sovranitetin, territorin dhe rendin kushtetues, duke i quajtur veprimet e qeverisë si tradhti ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kështu, për një moment, Vetëvendosja si forcë që ka kritikuar rregullisht kushtetutën është transformuar në mbrojtësin më të zellshëm të saj, duke u bërë kësisoj reprezentimi ideal i patriotizmit kushtetues Habermasian.

Kjo përveç që demonstrohet me metodat e Vetëvendosjes dhe argumentet e saj brenda dhe jashtë kunvendit, poashtu u manifestua edhe me mbledhjen e 200 mijë nënshkrimeve Kundër Serbisë, si formë e mbrojtjes së ideve të Vetëvendosjes për demokraci direkte si dhe principeve kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ky ndryshim i papritur i Vetëvendosjes, nuk është aspak i habitshëm apo i panatyrshëm. Që nga momenti që Vetëvendosja vendosi të kandidojë në zgjedhje, pa u larguar shumë nga bindjet e saj politike, apo edhe metodat e saj politike, ndërmori një transformim organizativ dhe strukturor, ku organizatat politike që ndërmarrin transformimet e caktuara kompenzojnë në kushtet e reja… mbajtjen e aktivitetit të organizatës në performancë më të mirë se më parë (Kaufman, 1985, f. 46) dhe përshtaten vazhdimisht duke synuar gjithmonë mbijetesën (Hall, 1987, f. 203).

Për më tepër, ky transformin nuk përfaqëson ndryshim të ideve politike të Vetëvendosjes, dhe qasjes së saj në raport me planin e Ahtisaarit a po kushtetutën, por në këtë rast mbrojtja e kushtetutës është vetëm mjet për realizimin e qëllimeve politike të Vetëvendosjes.

Konflikti politik, në fillet e tij tentoi të bazohet në atë që Habermasi në teorinë e tij të aksionit komunikativ e quan Forca e Argumentit, por që shpejt degradoi si pasojë e mospjesëmarrjes së qeverisë në debatin për marrëveshjet respektive.

Në kontekstin filozofik të analizimit të sjelljes politike, e gjithë çështja kaloi nga një aplikim i mundshëm i teorisë ideale tek racionaliteti real si përfaqësim i Fuqisë (lexo fuqisë politike, pushtetit) në determinimin e realitetit politik.

Sjellja e tillë e qeverisë ishte rrjedhojë e konceptit të mazhorancës për fuqinë politike dhe pushtetin, i bazuar në mbështetjen ndërkomëtare pasuar nga idetë integracionaliste, e cila diktoi ambientimin e opozitës ndaj konceptit të fuqisë dhe pushtetit të saj, ku përnjëherë mbrojtja e principeve Westphaliane, kushtetutës, dhe ideja e mbështetjes popullore, hodhi themelet e strukturimit të fuqisë politike të opozitës.

Fuqia është gjithmonë prezente thotë Foucault, dhe njëashtu është determinante në realizimin e proceseve të caktuara. Suksesi i shtrembërimit të fakteve apo realitetit, nga cilado palë në cilëndo masë, nuk është i bazuar në fuqinë deklarative por në fuqinë faktike që qëndron prapa argumenteve, pavarësisht se a janë ato argumente të elaboruara mirë apo jo.

Vetë pretendimi në të vërtetën mund të shihet si praktikë e fuqishme retorike e garantuar në të gjitha llojet diskursive. (Edwards, Nicoll, Solomon & Usher, 2013, f. 14)

Opozita e motivuar nga idetë që mbron, vazhdimisht ka proklamuar se është zëri i së vërtetës, dhe qeveria ka vepruar njëjtë duke i bazuar deklaratat e saj në argumente si ‘Amerika nuk do të ishte pro’ në rast se diçka brenda procesit do të ishte e dëmshme për Kosovën.

Por roli i ‘zbulimit të së vërtetës’ ka qenë në interpretimin e Vetëvendosjes një detyrë e saj që në fillet e organizatës. Përderisa, ‘marrësit mund të mos e kenë diturinë dhe besimin e duhur për të sfiduar diskurset dhe informacionin ndaj të cilit ekspozohen’ (Wodak, 1987, f. 377-410), Vetëvendosja e konsideron veten si liderja në ngritjen e vetëdijes qytetare kundër proceseve të dëmshme politike.

Opinioni politik i Vetëvendosjes që nga fillimi i konfliktit politik është karakterizuar në bazë të diferencimit mes ‘ne’ dhe ‘ata’ si bazë fundamentale e komunikimit dhe diskursit të saj politik, duke e vendosur qytetarin në një pozitë ku do të detyrohet të zgjedhë mes të ‘mirës’ dhe së ‘keqes’, i cili do të identifikohet si i tillë në bazë të zgjedhjes së tij.

Kjo qasje populiste, deri tani ka qenë arma më e fortë e opozitës në depërtimin e ideologjisë së saj tek qytetari i thjeshtë, dhe mjet për të arsyetuar veprimet e opozitës karshi institutcioneve të vendit.

Forca e Gjuhës në diskursin publik

Nuk kam pasë nervat dhe kohën ta numëroj sa herë deri tash është përdrorur termi ‘Zajednicë‘ nga reprezentuesit e opozitës, militantë apo analistë që i mbështesin, në fjalime nëpër tubime, në debate, në intervista apo në komunikata dhe artikuj të ndryshëm. Por sigurisht që në rast të numrimit, patjetër se rezultati do të ishte mbase një numër katër shifror.

Përdorimi i termit ‘Zajednicë‘ në vend të Asociacion apo Bashkësi mëton të inicojë reagim negativ ndaj vetë Asociacionit nga qytetarët shqiptarë të Kosovës, derisa përmes përdorimit të gjuhës mëtohet të krijohet ideja e kthimit të dominimit Serb në Kosovë, që mbase nuk është edhe aq fiktive në rast se do të zbatohej kjo marrëveshje në formën ekzistuese.

Sidoqoftë, duke e demonizuar vetë termin, ku si faktor demonizues është vetë gjuha në të cilën termi thuhet gjithandej, Vetëvendosje që nga marsi i vitit të kaluar e ka shtruar rrugën e saj drejt kundërshtimit të rrept të Asociacionit si e keqe e panevojshme që na vjen nga Serbia dhe pushtetarët tanë.

Wodak përcakton se fuqia e gjuhës vjen nga njerëzit e fuqishëm që e përdorin atë, e jo pse ajo është e fuqishme në esencë.

Poashtu Jager dhe Maier thonë që tekstet, fjalimet, spotet, fjalë apo fotografi të caktuara, fuqinë nuk e kanë në çka ato përmbajnë por në përsëritjen konstante te deklaratave. (Jager and Maier cit. at. Wodak and Meyer, 2009, f. 34-61).

“Zajednica“, është bërë simbol i kampanjës antiqeveritare të opozitës, term i cili është përsëritur në mënyrë konstante në secilin rast të mundshëm, dhe është përdorur në forma të ndryshme deri edhe te identifikimi i qeverisë së tanishme si “Qeveri e Zajednicës“.

Në strategjitë e Vetëvendosjes për strukturimin e diskursit publik, Vetëvendosje mund të thuhet se ka përdorur Strategjitë Profetike (shih: Wodak&Pelinka, Haider Phenomenon in Austria, 2002, f. 41) si atribut vlerësues i tipareve negative dhe pozitive në forma linguistike të predikateve implicite dhe eksplicite.

Kësisoj, parashikimi i pasojave që rrjedhin nga procese politike, populizmi i skajshëm, përdorimi dhe përsëritja e vazhdueshme e termave të caktuar me konotacion negativ, janë pjesë e strategjisë së Vetëvendosjes për të bërë dallimin mes “ne“ dhe “ata“, dhe për ta vendosur menjëherë secilin që ka opinion ndryshe nga Vetëvendosje në kategorinë e ‘ata‘.

Por gjithashtu, edhe qeveria ka luajtur me kartën e njëjtë, duke e konsideruar secilin që i ka kundërshtuar veprimet e saj, si individë apo grupe destruktive me mungesë vizioni për të ardhmen e Kosovës. (vërej: Destruktiv jo ne kuptimin e Heideggerit)

Diskurset sipas Wodak, janë gjithmonë supra-individuale dhe integrojnë perspektiva dhe pozicione të shumta ku akterët luftojnë për hegjemoni. Në rastin tonë, Vetëvendosje e ka fituar luftën për hegjemoni përbrenda diskurseve, dhe për sa i përket perceptimit se ajo është mbrojtësja e pakorruptueshme e interesit qytetar, aksionit politik ndaj të padrejtës brenda dhe jashtë kunvendit.

Në këtë mënyrë, Vetëvendosja e ka lënë në hije shoqërinë civile dhe çdo organizatë tjetër me vullnet për aksion politik në mbrojtje të interesave qytetare, duke e monopolizuar kësisoj gjithë hapsirën protestuese të qytetarëve të Kosovës.

Observimi i veprimeve të akterëve politik në Kosovë, na sjell në përfundimin që Vetëvendosje së bashku me partitë tjera opozitare, kanë dominuar në formimin e diskursit publik në Kosovë, ndërsa kontributi i qeverisë nuk qëndron në përgjigje logjike ndaj akuzave që i janë drejtuar, por vetëm në metodat represive që ajo ka përdorë ndaj opozitës, duke e forcuar kështu percepcionin publik për pastërtinë e opozitës.

Përderisa argumentimi i opozitës krahas metodave të tjera të përdorura kundër qeverisë, I ka dhënë asaj supremcai përbrenda diskursit publik, qeveria në anën tjetër e ka fokusuar kundërpërgjigjen e saj në kritikën ndaj metodave të opozitës më shumë se në substancën dhe burimin e akuzave të opozitës.

Në kampanjën e saj populiste, opozita në fjalët e Derridës nuk e ka limituar aspak retorikën e saj në kontekst të dekonstruktimit të veprimeve të qeverisë.

Fjalët Zajednicë, tradhëti kombëtare, projekt racist etnik, planet serbe ekspansioniste e neo-kolonizatore, shitja e Kosovës nga qeveritarët e shumë terma të tjerë të përdorur nga opozita, me qëllim që të japin një efekt masiv tek qytetarët, kanë fuqizuar opozitën brenda diskursit publik në raport me qytetarët.

Në anën tjetër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku u konstatua shkelja e rreth 23 neneve të kushtetutës, në kuptimin e Weber-it të teorisë së legjitimitetit ku ‘faktet dhe normat bashkohen’, legjitimizon deklarimet e opozitës në raport me marrëveshjen për Asociacionin e Komunave serbe, dhe në anën tjetër e forcon perceptimin publik për jolegjitimitetin e qeverisë.

Deklarimet e z. Thaçi pas vendimit kushtetues se ‘marrëveshja nuk e shkel asnjë nen të kushtetueses‘ apo se ‚‘Kosova nuk e humbet asnjë centimetër të tokës së saj në marrëveshjen e demarkacionit‘, vetëm sa e forcojnë perceptimin publik që qeveritarët tonë nuk kanë asnjë sens respekti për sundimin e ligjit apo për pavarësinë dhe profesionalitetin e organeve të tjera shtetërore.

Sipas Hay, politika është një aktivitet social dhe si të gjitha aktivitetet e tjera sociale më së miri funksionon në frymën e besimit dhe bashkëpunimit.

Në një skenë politike ku mbizotëron urrejtja dhe mosbesimi i thellë, arritja e një niveli të përshkruar nga Hay të bërjes politikë është larg realitetit në Kosovë.

Kështu, politika kosovare prodhon realitete të ndryshme e kundërshtuese për qytetarët, ku qytetarët e gjejnë veten në njërin apo tjetrin dhe absorbojnë edhe idetë e metodat që prodhohen nga imituesit e këtyre realiteteve.

Sipas Gioia pjesëtarët e organizatave krijojnë dhe mirëmbajnë realitetin e tyre të veçantë, për shkak se në esencë njerëzit i përgjigjen vetëm gjërave që kanë kuptim për ta.

Retorika populiste e opozitës dhe asimilimi i ideve të tyre me idetë e popullit shënon pikën më të lartë të një retorike të tillë.

Paaftësia e qeverisë për të rrëzuar pretendimet politike të opozitës dhe injorimi i debatit publik i jep deklarimeve të opozitës kredibilitet, dhe e delegjitimizon vetë qenien e qeverisë.

Bashkimet dhe rendimet e akterëve politik, evolimi i bindjeve të tyre dhe maskimi i ambicieve politike përmes ideve politike, nuk është asgjë tjetër përveç Hipokrizi politike, realitet tashmë normal në skenën politike kosovare.


SBunker

Arbër Ahmeti është jurist, aktualisht duke ndjekur studimet post-diplomike në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës. Ai është kontribues për Raportet e Oksfordit për të Drejtën Ndërkombëtare në Gjykatat Vendore, punë të cilën e kryen nga Departamenti për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Europiane të Universitetit të Vjenës. Arbëri është zëvendëskryesues i Komitetit Hulumtues për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Qeverisje të Asociacionit Ndërkombëtar të Studentëve të Shkencave Politike (IAPSS), si dhe autor për blogun e tyre "A different View". Interesat e tij hulumtuese fokusohen në të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, Politikat e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Europian, përdorimin e forcës dhe të drejtën e vetëmbrojtjes në të drejtën ndërkombëtare, aplikimin e teorisë së lojës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe raportin mes të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY