Ndërmjet dy patetizmash

»Për një dhjetëvjeçar futbolli kosovar u luajt nëpër livadhe, shpeshherë gjysëmkodrinore, ku njëra anë e fushës ishte më e rrëpirtë sesa tjetra« Fitim Salihu

I — Unë isha fëmijë. Babai apo axha – apo të dytë bashkë – më merrnin para luftës të shikoja ndeshje futbolli nëpër fushat e improvizuara të futbollit të Kosovës: nëpër livadhet e fshatrave të Kosovës që ndonjë fshatar zemërmirë ua lëshonte falas rinisë kosovare për të luajtur futboll, në një kohë kur regjimi serb shqiptarët i kishte dëbuar nga stadiumet futbollistike, sikurse edhe nga sallat sportive, shkollat, fakultetet dhe fabrikat.

«»cFitim Salihu

»Shumë nga ai brez fëmijësh që asokohe shikonin të trishtuar atë “futboll” sot janë rritur të mëdhenj, sikur unë.« Fitim Salihu

Për një dhjetëvjeçar futbolli kosovar u luajt nëpër livadhe, shpeshherë gjysëmkodrinore, ku njëra anë e fushës ishte më e rrëpirtë sesa tjetra. Për një dhjetëvjeçar futbolli kosovar u luajt me shumë ndodhi ekzotike, por që asokohe ishin realitet i hidhur. Qese najloni që shërbenin si flamuj të gjyqtarëve anësorë, përroska fshati që shërbenin si “kabina dushi”, furgonë të ndonjë vullnetari që shërbenin si zhveshtore, bregore ndanë livadheve që shërbenin si tribuna tifozësh, lopë që kullosnin në fusha futbolli teksa aty lozej futboll, e kështu me radhë. Shumë ndeshje nuk fillonin fare sepse Milicia serbe kishte arrestuar rrugës gjyqtarët e ndeshjes. Shumë syresh nuk përfundonin sepse në mes të ndeshjes së improvizuar Milicia serbe ndërhynte në livadhet-stadiume dhe rrihte tifozët e futbollistët, duke shpërndarë masën e sportdashësve dhe duke e ndalë në gjysëm ndeshjen e futbollit. Kështu rriti jetën e tij futbolli kosovar për një dhjetëvjeçar. Shumë nga ai brez fëmijësh që asokohe shikonin të trishtuar atë “futboll” sot janë rritur të mëdhenj, sikur unë. Shumë nga djelmoshat e ri futbollistë janë bërë burra; shumë nga këta futbollistë zenitin e karrierës e patën livadheve të Llukarit, Malishevës, Dushanovës, etj.; shumë nga këta futbollistë karrierën e nisën dhe bitisën nëpër livadhe. Shumë nga burrat që kontribuan asokohe sot nuk janë më gjallë sepse vdiqën të heshtur pa i lavduar askush për sakrificat e veta dhe pa e parë Kosovën së shpërthyeri izolimin sportiv. Shumë nga ky brez që futbollin e ka mbajtur gjallë nëpër livadhe dhe që futbollin e mbanë mend si një sakrificë e kënaqësi, si një përballje me pushtuesin serb, patjetër që me lot në sy e kanë pritur pranimin e Kosovës në UEFA dhe integrimin e saj ndërkombëtar sportiv. Ti mund të jesh nacionalist shqiptar, nacionalist kosovar a internacionalist, ama nuk mund t’ia mohosh atij brezi të drejtën e ngazëllimit që Kombëtarja e Kosovës, nga stadiumet-livadhe dhe nga dushat-lumenj, mbrëmë e luajti ndeshjen e parë kualifikuese ndërkombëtare.

II 5 shtator 2016. Në të njëjtën natë, në të njëjtën orë, reprezentacionet e Shqipërisë dhe të Kosovës luajnë ndeshjet e tyre gjegjëse. Më shumë sesa sport, mbrëmja në rrjete sociale solli një atmosferë të nderë përplasjesh e polarizimeshe krejt të kota mes dy patetizmave ekstreme: nacionalistëve kosovarë dhe nacionalistëve shqiptarë. Nacionalistët shqiptarë pretendojnë që Kosova nuk duhet të përkrahej prej pjesëtarëve të etnisë shqiptare të Kosovës. Sipas tyre, shqiptarët e Kosovës duhet të jenë tifozë vetëm të Shqipërisë dhe Kombëtarja e mëvetme e Kosovës – sikurse vetë Kosova e pavarur – është në kundërti me idenë e bashkimit kombëtar shqiptar. Realiteti është ndryshe. Kosova është shtet që e ka shpallur pavarësinë e vet para thuajse nëntë vitesh. Kosova e ka flamurin e vet dhe tashmë ka shumë njohje ndërkombëtare. Edhe në aspektin sportiv, Kosova si shtet është pranuar në shumicën e federatave sportive botërore e evropiane. Shqiptarëve mund t’ua kërkosh të mos jenë kundër Kombëtares Shqiptare, por shqiptarëve nuk mund t’ua kërkosh të zgjedhin ndërmjet njërës prej atyre dy kombëtareve. Kushdo që nuk e kupton këtë realitet – sidomos partitë politike – thjesht po vihet në armiqësi me këtë ndjenjë krenarie për sukeset sportive të Kosovës së pavarur. E, gjersa një ndjenjë e këtillë po haset në shumicën e shqiptarëve të Kosovës, rrjedhimisht e për ironi, nacionalistët shqiptarë po armiqësohen me shumicën shqiptare në Kosovë. Një gjë duhet kuptuar: secili shqiptar mund ta ketë ëndërr një shtet kombëtar, një kombëtare sportive apo një ligë futbolli. Por, deri atëherë, kjo mbetet ëndërr e realiteti është ky: ose duhet të pranojmë se s’mund ta kemi një kombëtare dhe duhet ta përkrahim edhe Kombëtaren e Kosovës, ose duhet të vetësakrifikojmë duke thënë se o do e kemi një kombëtare o do të vazhdojmë të luajmë mes vete edhe pas njëzetegjashtë vitesh izolimi. Deklaratat kontroverze të politikanëve nacionalistë shqiptarë të Kosovës në fakt po i bëjnë një dëm të pandreqshëm nacionalizmit – e qe besa edhe thjesht patriotizmit – shqiptar në Kosovë. Duke u armiqësuar me realitetin që një pjesë e madhe e kosovarëve përkrahin përfaqësuesen e Kosovës dhe duke i etiketuar ata si “tifozë të Ahtisarit” apo “tifozë të Hashim Thaçit”, ata po prodhojnë një kontrareaksion që po shprehet në urrejtje ndaj Shqipërisë në mesin e shumë shqiptarëve të Kosovës. Fundja, s’mund të jesh tërë ditën për Republikën e në mbrëmje kundër Kombëtares së po asaj Republikeje.

III Hiç më mirë nuk qëndrojnë as patetikët e bllokut kundërshtar – nacionalistët kosovarë. — Duke u munduar ta stërtheksojnë dashurinë për Republikën e Kosovës, Kombëtaren e Kosovës apo kombin kosovar, ata po harrojnë që edhe ajo që ata quajnë komb kosovar është formacion multietnik dhe shumështresor: kombi kosovar është krijesë e një sërë etnish – shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve. Rrjedhimisht, duke qenë një komb civil, kombi kosovar ua garanton të gjitha etnive të veta kombformuese të drejtën demokratike për t’u ndjerë njëkohësisht edhe shqiptarë dhe kosovarë apo edhe serbë dhe kosovarë. Tendencat totalitare të nacionalistëve kosovarë për të shkrirë etnikumet e veta dhe për të totalizuar ndjenjat sportive janë kryekreje kundër vetë idesë së kombit kosovar. Në fund të fundit, edhe kushtetutshmërisht edhe juridikisht, në Kosovë shih për këtë mënyrë se si është krijuar “citizenship”-i dhe kombi kosovar lejohet dyshtetësisa për banorët e Kosovës. Tendencat totalitare vihen re kur mundohet t’ua imponojnë tërë shqiptarëve të Kosovës dashurinë për Kombëtaren e Kosovës dhe Kombëtaren e Shqipërisë apo vetë Republikën e Shqipërisë ta shohin në armiqësi me Republikën e Kosovës, duke harruar që Kosova as nuk është çliruar dhe as nuk është pavarësuar nga Shqipëria, por nga Serbia. Edhe politikisht, është ahistorike tentativa që ideja e Kosovës së pavarur të shihet në armiqësi me idenë e bashkimit kombëtar. Ideja e Kosovës të pavarur ka ardhur si rezultat i luftës shumëdekadëshe për bashkim kombëtar. Një gjë tjetër sa jemi tek krenaria nacionaliste kombëtare për Kosovën dhe kombin kosovar: krenaria e pjesëtarëve të një kombi për atë komb si konstruksion politik ka të bëjë me të kaluarën e të tashmen dhe eventualisht me të ardhmen. Ideja e kombit kosovar nuk ka të kaluar para vitit 1990. Të gjithë heronjtë që kanë vdekur dhe paskëtaj ka ardhur pavarësia e Kosovës në fakt luftën e tyre e kanë nisur për bashkim kombëtar shqiptar – natyrisht përjashto dëshmorët e pas nënshkrimit të Rambujesë. Të qenit kosovar sot nuk paraqet as krenari të të tashmes: Kosova e pavarur sot është shteti me varfërinë dhe papunësinë më të thellë në Evropë. E duke i parë vlugjet e refugjatëve ekonomikë drejt Evropës, rinia kosovare nga sa po shihet, nuk krenohet as me të ardhmen e cila e pret në këtë shtet. Nacionalistët kosovarë duhet të marrin shembull nga kombe si suedezët, zviceranët apo amerikanët. Ti mund të jesh etnikisht shqiptar dhe pjesëmarrës i kombit suedez, amerikan apo zviceran. Ti mund të krenohesh me të tashmen e shtetit ku jeton: ShBA, Suedia apo Zvicra shqiptarëve që jetojnë atje, pos që u ka ofruar strehë dhe integrim brenda shoqërisë, u ofron edhe bukën e gojës, të ardhmen e fëmijëve dhe kushte të mira jetese që i bën ata të krenohen tejendanë botës që i takojnë kombit amerikan, suedez apo zviceran. Por, përkundër që shqiptarët e njërit prej këtyre tre kombeve kanë arsye të krenohen me kombin e vet, vetë këto kombe dhe këto shtete – ShBA, Suedia a Zvicra – nuk ua kërkojnë pjesëtarëve të etnive që përbëjne kombin e tyre që të shkrihen brenda kombit dhe të lënë mënjanë përkatësinë e tyre etnike. As nacionalistët kosovarë nuk mund t’ua kërkojnë shqiptarëve që mos ta festojnë fitoren e Shqipërisë në Prishtinë, serbëve që mos ta festojnë fitoren e Serbisë në Graçanicë apo turqve që mos ta festojnë fitoren e Turqisë në Prizren. Shqiptarët që kanë pasaportë sudeze në Suedi mund lirisht ta festojnë fitoren e Shqipërisë ndaj Suedisë pa frikën e linçimeve nga nacionalizmi suedez me devizën “shkoni në Shqipëri”. Jo, sepse ajo është kulturë integruese dhe inkluzive civile dhe jo kulturë ekskluzive dhe totalitare arkaike.

IV Polarizime të këtilla vetëm sa po na konsumojnë pakëz kohë dhe po na çorientojnë nga problemet tona reale dhe të prekshme. — Polarizime të këtilla të kota po mundohen të vënë përballë e të armiqësojnë dy ide joarmike. Dy palët kanë faj në tërë këtë shthurrje të kohezionit social. Nacionalistët kosovarë duhet ta kuptojnë se Republika e pavarur e Kosovës është kurorëzim i një lufte që ka nisur për bashkim kombëtar dhe kjo ndjenjë dashurie ndaj Shqipërisë nuk shlyhet brenda natës. Nacionalistët shqiptarë duhet ta kuptojnë se Kosova e pavarur nuk është armike e Shqipërisë dhe se sado që s’është sublimim i asaj pse ka nisur lufta, pavarësia është kurorëzim i asaj që kemi mund ta fitojmë maksimalisht nga lufta dhe paqja. Ky barrikadim i dy palëve dhe të parit e tjetrit si armik është krejt banal dhe budallallëk tipik. Unë e di se shumë nga ata që natën e 5 shtatorit kanë shpërthyer kundër Visar Ymerit janë gëzuar çmendurisht për fitoren e Shqipërisë kundër Rumunisë. Njashtu, e di se ata që natën e 5 shtatorit kanë zgjedhur ta shohin në televizor Shqipërinë e jo Kosovën janë gëzuar çmendurisht ditën e pranimit të Kosovës në UEFA. Pra, polarizimi dhe antagonizimi i skajshëm është absurd dhe krejtësisht reaksional, i shkaktuar nga ideologët e të dy ekstremeve patetike.

V — Përtej futbollit dhe përtej nacionalizmave naivë, ju kujtoj dy ekstremeve patetike se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë nivelin më të lartë të papunësisë, varfërisë dhe emigrimit ekonomik në Evropë. Ndërkohë ne mund të vazhdojmë të zbulojmë tradhëtarë dhe patriotë…

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY