Huti i Minevrës hap krahët vetëm në muzg

»Nuk kam pasur kurrë askënd për ta thirrur mësues. Asnjë Krisht nuk ka vdekur për mua. Asnjë Budë nuk më ka rrëfyer ndonjë udhë.« Fernando Pesoas

Kemi dëshmuar me sytë tanë, lavdet që i thuren tolerancës fetare në shoqërinë shqiptare si një ndër vlerat themeltare të vetë strukturës tonë shoqërore. Marshet në Paris të klerëve fetarë e deri tek ndërtimi i objekteve fetare të krishtera e muslimane në të njëjtën hapësirë, dhe gëlimi përbrenda diskurseve lidhur me këtë çështje, përjashtuar disa zërave jo-signifikant, e promovojnë jashtëzakonisht këtë zakon të mirë të shqiptarëve.

Por deri ku shkon ky zakon i mirë, që në vetvete është absurd, e në të njëjtën anë është maskim, që tash në shekullin XXI, dëshmon jo racionalitetin njerëzor dhe prezencën shqetësuese të intolerancës fetare gjithandej, do mundohemi ta sillogjisim më tutje, duke trajtuar raportin e njeriut dhe të religjionit, dhe fuqinë e këtij të dytit si autoritet në shoqëri. Me pak fjalë, absurditeti qëndron në faktin që toleranca fetare është ende nocion, dhe vetë njeriu është ende homo religiosus në vend që të jetë thjesht njeri, në  sajë të ndeshjes mes religjioneve në botë.

Mes Zotit dhe religjionit, gjendet një hendek i madh, madje i pafund, në mes të cilit qëndron i vetëm njeriu, i cili e përdorë këtë boshllëk të krijojë sisteme autoritare dhe pushtet duke u thirrur në detyrën ndaj Zotit, të organizojë veten, e madje edhe të krijojë marrëdhënie ndërshoqërore të diktuara nga religjioni, fjala e Zotit mbi tokë.

Zoti si absolutja, shprehet Adorno, mënjanon njeriun si qenie finite, por kur njeriu e emëron atë, ai e tradhton atë, për shkak se i vë emër Atij, dhe kësisoj duke e emëruar dhe përdorur emrin e Tij ata vetëm e bëjnë Atë artificial, ose në fjalë të Niçes, ‘E vrasin atë’, duke marrë punët e Zotit ne duart e tyre. Sidoqoftë, interpretimet mbi vetë Zotin nuk janë objekt i këtij shkrimi, Hyjnorja përjashtohet për shkak se do flasim për marrëdhëniet njerëzore, ose të homo religiosus në një shoqëri që në kuptimin e Kantit, secili individ duhet të ketë liri që të arrijë lumturinë.

Kanti, siç shprehet Noli tek “Betoveni dhe Revolucioni Francez”, e përjashton Perëndinë nga Metafizika duke i prerë kokën në gijotinën revolucionare të Arsyes, pasi që arsyeja njerëzore kupton vetëm gjërat që gjenden në kohë dhe hapësirë, dhe Perëndia që ekziston jashtë dimensionit kohë dhe hapsirë nuk mund të kuptohet nga Arsyeja njerëzore. Prej Revolucionit Francez e këtej, Providenca Hyjnore u përjashtua, dhe sundimtarët që thirren në Zotin, nuk gjetën më aplikim në botën perëndimore.

Por kjo ende nuk ka ndodhur në nivelin ndërnjerëzor. Marrëdhëniet ndërnjerëzore ende thirren në Providencën Hyjnore, e tek ne shqiptarët, ta marrim si shembull që ta shtjellojmë më tutje, të tilla janë lidhjet dhe martesat ndërfetare.

Ky kufizim që i bëhet njeriut, në rastin shqiptar nga autoriteti prindëror i cili thirret në Providencën Hyjnore, cenon kushtin themelor të të qenit të lirë, të të qenit të lumtur. Edhe një herë, feja bëhet zëri i arsyjes, i palumturisë dhe përfaqësuesja primare e shtypjes psikike. Tek “Themelimi i zakoneve shoqërore”, Kanti shprehet se ‘… vullneti i mirë duket si kushti themelor për ta bërë një qenie të denjë për lumturi’, duke na sjellur ne përfundimin se vullneti i lirë si paradigmë e subjektocentrizmit, është i mundshëm vetëm atëherë kur ndërhyrjet eksternale, në këtë rast prindërore, janë të pamundura. E dashuria në çdo rast është vullnet i mirë.

Por përse fëmijët ndikohen nga prindërit, ose thënë shkurt, nga babai i cili është autoriteti sublim i ndikimit mbi fëmijën?

Sipas Erich Frommit tek “Psikoanaliza dhe religjioni”, eksperienca kryesore e religjionit autoritarian është dorëzimi tek fuqia që e transendon njeriun, kështu bindshmëria në religjionet autoritative është virtyt i njeriut. Ai vazhdon duke theksuar se përderisa Hyjnorja konsiderohet omnipotente dhe omnishente, njerëzorja është e pafuqishme përballë saj, dhe në vetë aktin e dorëzimit, njeriu humb pavarësinë dhe integritetin individual.

Tek “Arti i të dashuruarit”, Fromm spjegon pushtetin e babait tek fëmija. Ai shprehet se përvoja e të qenit i dashur nga nëna është pasive dhe dashuria e nënës ndaj fëmijës është e pakushtëzuar, dhe nuk ka nevojë të jetë e merituar. Por marrëdhënia me babain, sipas Frommit, është krejt ndryshe. Babai ka fare pak lidhje me fëmijën në vitet e tij të para, dhe ai nuk paraqet një botë natyrale, prej të cilit fëmija buron, siç ndodh tek nëna. Babai përfaqëson polin tjetër të ekzistencës njerëzore, botën e të menduarit, të gjërave njerëzore, të ligjit dhe rregullit e diciplinës. Dashuria atërore është e kushtëzuar, dhe bazohet në maksimën ‘të dua sepse përmbush pritshmëritë e mia’, për shkak se kryen detyrat e tua. Dashuria atërore duhet të fitohet, dhe mund të humbet nëse fëmija nuk bën atë që pritet nga babai. Dashuria atërore bazohet në faktin që bindshmëria bëhet virtyti kryesor, dhe nëse kjo nuk ndodh tërheqja e dashurisë atërore bëhet ndëshkim ndaj fëmijës.

Patrimonum amare i pater religiousus hedh kufijtë e vet tek bindja ndaj rregullave të tij. Dhe tek ati fetar shqiptar, martesa me personin që i takon religjionit tjetër, është delikt i pafalshëm, dhe ai kërcënon fëmijën me tërë pushtetin e tij të dashurisë së kushtëzuar, duke i treguar se çdo veprim që bie jashtë diapazonit të caktuar nga babai, do t’i kushtonte fëmijës humbjen e dashurisë atërore.

Tek ati fetar shqiptar, toleranca fetare tradicionale, si themel i identitetit tonë, humbë përnjëherë kur çështja vjen tek martesa ‘e përzier’. Ati fetar shqiptar, më nuk është njeri, më nuk është baba, ai është vetë dora e Krishtit, Allahut, Budës, e Hashemit, që i tregon kufijtë dashurisë së pastër, shtyp ndjenjat dhe vret ëndërrat e fëmijës së tij.

Ati fetar shqiptar, dhunshëm pushton mendjen e fëmijës së tij, e ndalon atë, e shtyp atë, e kërcënon atë, duke e drejtuar drejt shtypjes psikologjike, drejt vdekjes së ndjenjave, e në rastin më tragjik, drejt vetë vdekjes së tij.

Ati fetar shqiptar, në kuptimin e Lacanit, është skizofren i dyfishtë, ai në njërën anë promovon vlerat sublime të të drejtave themelore nejrëzore, dhe në anën tjetër, shtyp çdo gjë që cenon konceptin e tij fetar, madje shtyp edhe fëmijën e tij. Shtyp dhe të drejtën sublime të të dashuruarit, pasi kryqi apo hëna, dhunshëm sundojnë në botën e tij. Ai është homo religiosus, i pamëshirshëm, dhe madje në këto veprime, ai në mendjen e tij të ngushtë pa kurrfarë dritare, merr rolin e vetë Abrahamit, duke mbajtur thikën në dorë që me urdhrin e zotit ta përshkojë tej për tej zemrën e fëmijës së tij. Ai është në gjendje të bëhet Juda në emër të Krishtit, dhe ta kryqëzojë vetë fëmijën e tij.

Kështu, nuk mundet si mos të na kujtohet Dostojekvski, kur thotë që po të mos ekzistonte zoti, gjithçka do të ishte e lejueshme. Kështu ati fetar shqiptar, përmes reprezaljes ndaj fëmijës, bëhet atlet i Krishtit, duke përmbushur detyrën hyjnore mbi tokë.

Ati fetar shqiptar, në kuptimin që i jep Aldous Huxley skizofrenit, jeton si nën ndikimin e meskalinës, duke i dhënë dogmës fetare përparësi ndaj pjellës së vet. Huxley plotësisht portretizon ne definicionin e tij mbi skizofrenin atin fetar shqiptar. Njëjtë sikur të ishte nën ndikimin e meskalinës, ati fetar shqiptar, nuk është në gjendje të ndalojë përvojën e një realiteti me të cilin ai nuk mund të bashkëjetojë. Realiteti i rastit tonë, që fëmija zgjedhë, nuk është mjaftueshëm as i shenjtë as i denjë për të përmbushur pritshmëritë e atit fetar shqiptar. Duke qenë se ati shqiptar në rastin që trajtojmë ne, nuk mund të pajtohet dot me vendimin e fëmijës për jetën e vetë, e kërcënon atë me linçim.

Por mos të harrojmë, që Kupidi i Amorit ka krahë dhe hark, që s’kryqëzohet dot sepse fluturon, dhe mund të mbysë me shigjetë çdo parakusht për dashurinë. Të mos harrojnë fëmijët e prindit të tillë, që, në kuptimin e Haideggerit që e shpreh tek “Ekzistenca dhe qenia”, ‘Qenia që ekziston është Njeriu. Vetëm ai ekziston. Shkëmbintjë janë, por nuk ekzistojnë. Pemët janë, por nuk ekzistojnë. Kuajtë janë, por nuk ekzistojnë. Engjujt janë, por nuk ekzistojnë.  Zoti është, por ai nuk ekziston’.

Në marrëdhëniet mes njerëzve, vetëm vendimi i njeriut ka rëndësi, sepse Zoti është shumë i zënë me punët e veta. Zoti as nuk i dëgjon klithmat morbide të baballarëve, që thonë, ‘Çka do të mendonte Jezusi a Muhamedi, për ty?’

Për ta përmbyllur këtë ligjëratë, s’ka se si të mos më bien ndërmend fjalët e Fernando Pesoas, ‘Nuk kam pasur kurrë askënd për ta thirrur mësues. Asnjë Krisht nuk ka vdekur për mua. Asnjë Budë nuk më ka rrëfyer ndonjë udhë. Në majë të ëndrrave të mia asnjë Apollon e asnjë Minevrë nuk janë shfaqur ndonjëherë për të më ndriçuar shpirtin.

Asnjë atë fetar nuk duhet të mbizotërojë. Errësira që sjellin ata, është mehlem për dashurinë. Siç shprehej i madhi Hegel, Huti i Minevrës hap krahët vetëm në muzg. Dhe për fëmijët tuaj, që iu sollët errësirën, Huti i Minevrës veç se i ka hapur krahët.

Zotërat nuk bëjnë dëm. 

Ah, Vonnegut, do të vijë viti 2081, dhe të gjithë në fund do të jemi të barabartë.

Arbër Ahmeti është jurist, aktualisht duke ndjekur studimet post-diplomike në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës. Ai është kontribues për Raportet e Oksfordit për të Drejtën Ndërkombëtare në Gjykatat Vendore, punë të cilën e kryen nga Departamenti për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Europiane të Universitetit të Vjenës. Arbëri është zëvendëskryesues i Komitetit Hulumtues për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Qeverisje të Asociacionit Ndërkombëtar të Studentëve të Shkencave Politike (IAPSS), si dhe autor për blogun e tyre "A different View". Interesat e tij hulumtuese fokusohen në të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, Politikat e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Europian, përdorimin e forcës dhe të drejtën e vetëmbrojtjes në të drejtën ndërkombëtare, aplikimin e teorisë së lojës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe raportin mes të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY