SHBA-të dhe Bomba Atomike e Njeriut të Varfër!

37 vjet pas këtij revolucioni, besohet se amerikanët ishin të përfshirë dhe meqë përfshirja e tyre kishte rezultuar me ekzekutimin e të gjithë iranianëve besnikë-operativë të CIA-s, duket se ka çuar në motive të atilla që amerikanët të hapin arkivat e operacioneve të tyre për instalimin e Khomeinit në Teheran.
Më shumë se një milion përkrahës të një republike islamike janë mbledhur rreth monumentit Shayad [Memorialit të Shahut] në Teheran në një shfaqje të fuqishme të forcës kundër qeverisë civile e lënë pas nga Shah Mohammad Reza Pahlavi, më 19 janar, 1979. Demonstrata të ngjashme janë mbajtur në të gjithë vendin, shumica e tyre paqësore. (AP Foto / Aristotel Saris)

Mbrapa, në vitin 1980, babai i Bashar al-Assadit [Hafez Al-Assad] kishte parë vetëvrasësit me bomba si një armë që ai do të mund t’i përdorte për të detyruar tërheqjen e amerikanëve nga Lindja e Mesme. Por, gjatë 30 vjetëve të ardhshëm, kjo kishte ndryshuar dhe ishte shndërruar në diçka që përfundoi duke bërë të kundërtën çfarë assadët e kishin menduar!

Vetëvrasësit me bomba, apo ndryshe siç njihen edhe ‘kamikazët’ – i rikthyen amerikanët përsëri në Lindje të Mesme duke e përçarë botën arabe. Hafez Al-Assad duket sikur kishte ëndërruar një botë të fuqishme dhe të bashkuar arabe, por ëndrra duket të jetë shkatërruar nga ideja e tij, e cila në fakt ishte themeluar nga Seyed Hasan Khomeini, i cili ua kishte huazuar assadëve të Sirisë.

CIA ndërhyri në librin e KUR’AN-it dhe shtetin e IRAN-it!

       CIA është sinonim i njohur i trukeve të pista politike, Agjencisë në thelb i është dhënë ngasje e lirë pa fre, duke lejuar operativët të përdorin çfarëdo taktika që ata i gjykojnë të arsyeshme të merren me ndonjë kërcënim [të vërtetë apo të perceptuar] të interesave amerikane.

Në foto duket një luftëtar pro-Revolucionar kur Irani rrëzoi Shah Mohammad Reza Pahlavi të mbështetur nga SHBA-të, pas 25 vjet të sundimit monarkik në vend. Khomeini themeloi një sistem politik të bazuar në vlerat islame dhe dominimin e klerit në vendimmarrje. [AP Foto]

Në foto duket një luftëtar pro-Revolucionar kur Irani rrëzoi Shah Mohammad Reza Pahlavi të mbështetur nga SHBA-të, pas 25 vjet të sundimit monarkik në vend. Khomeini themeloi një sistem politik të bazuar në vlerat islame dhe dominimin e klerit në vendimmarrje. [AP Foto]

Operacioni, me emrin e koduar TP-Ajax, ka qenë projekti i një varg komploteve në të cilat është e përfshirë Agjencia Amerikane e Inteligjencës, e cila ka pasur për qëllim për të nxitur grushte shteti dhe të destabilizojë qeveritë e ndryshme gjatë luftës së ftohtë – duke përfshirë grusht shtetin e suksesshëm të agjencisë në Guatemala në vitin 1954 dhe atë të ndërhyrjes katastrofike kubane i njohur si “Gjiri i Derrave” në vitin 1961. Në më shumë se një rast, operacione të tilla krijuan rrethana të një armiqësie të gjatë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Kështu në vitin 1953 – në bazë të dokumenteve të deklasifikuara të CIA-s, të dhënat tregojnë se organizata kishte rekrutuar disa prej grupeve gangstere më të frikshme në Teheran, duke i punësuar ata për t’i organizuar trazirat pro-Shah më 19 gusht 1953. Burrat e tjerë të paguar nga CIA ishin sjellë në Teheran me autobusë dhe kamionë – duke vërshuar rrugët e qytetit. Midis 200 dhe 300 persona u vranë për shkak të konfliktit.

Mosaddegh ishte arrestuar, gjykuar dhe dënuar për tradhti nga gjykata ushtarake e Shahut. Më 21 dhjetor 1953, ai u dënua me tre vjet burg, pastaj ishte vendosur në arrest shtëpie për pjesën e mbetur të jetës së tij. Përkrahësit e tjerë të Mosaddegh u burgosën, dhe disa prej tyre kishin marrë dënimin me vdekje. Mohammad Mosaddegh, ishte një politikan iranian. Ai ishte zgjedhur në mënyrë demokratike në pozitën e Kryeministrit të Iranit nga viti 1951 deri në vitin 1953, kur qeveria e tij u shkatërrua në një grusht shteti të organizuar nga CIA.

Pas grushtit të shtetit, Shahu ishte vendosur si monark për 26 vjetët e ardhshme. Monarku modernizoi vendin duke përdorur të ardhurat e naftës, derisa ai u përmbys në Revolucionin iranian në vitin 1979 – përsëri të ndihmuar nga CIA.

Viti 1953 – është koha kur shërbimet e inteligjencës britanike dhe ato amerikane ishin përfshirë në komplote të fshehta të diskutueshme grusht-shteti. Kodi i quajtur operacioni TPAJAX, për të përmbysur udhëheqjen e zgjedhur demokratike të Iranit dhe instalimin e një monarkie me prirje pro-Perëndimit, është përvijuar në detaje interesante sa kurioze aq edhe misterioze nga gazetari amerikan i stolisur me çmimin Pulitzer James Risen — në dy artikujt e gjatë të botuar në ‘New York Times’ në vitin 2000. Ky material i punuar nga Risen ka arritur të bëjë një ekspoze që zbulon detaje të rëndësishme të kthimit të suksesshëm të Shahut të Iranit, dhe ofron një shembull mjaft mbreslënës të obsesionit të Amerikës ndaj idesë së sigurimit për kontrollin e rezervave të huaja të naftës – dhe efektet katastrofike që ky obsesion i politikës së jashtme amerikane mund t’i ketë në raport me sigurinë kombëtare amerikane dhe atë ndërkombëtare.

Khomeini, si anti-amerikan dhe pro-amerikan!

Khomeini u nënshtrua dhe internua në Turqi në vitin 1964 pas ngritjes së vërejtjeve të tija publike për marrëdhënien e Shah-ut me Shtetet e Bashkuara. Gjatë 15 vjetëve të kohës së Khomeinit në mërgim, jeta e popullit iranian ishte mbushur me tmerre pasi skuadra ekzekutive e Shah-ut e njohur si SAVAK- [një skuadër famëkeqe private e cila terrorizoi çdo iranian që nuk i bindej Shahut!] organizatë kjo që u rrit në madhësi operative për nga natyra e personelit të saj të përfshirë në brutalitet të dhunshëm. SAVAK-u numëronte 60.000 anëtarë, dhe dënimet vicioze të përsosura dhe mbështetura nga homologët e Shah-ut kishin rritur dhe çuar rënien drastike të popullaritetit të udhëheqësit të tyre.

Kështu, rënia e popullaritetit të Shah-ut kishte çuar në rrethana të tilla detyruese që populli iranian do të mbështeste çdo ofertë tjetër politike, me shpresë se nuk do të ishte amerikane, pasi instalimi politik amerikan kishte dëshmuar të jetë brutal dhe i padrejtë. Në vitin 1979, një revolucion i udhëhequr nga Ayatollah Khomeini nga shtëpia e tij e re në Francë, kishte detyruar Shahun të largohej nga Irani. Shahu në fund përfundoi në Shtetet e Bashkuara, ku ai kërkoi trajtim nga kanceri, e cila sëmundje megjithatë shënoi fundin e jetës së tij, pasi vdiq në vitin 1980.

37 vjet pas këtij revolucioni, besohet se amerikanët ishin të përfshirë dhe meqë përfshirja e tyre kishte rezultuar me ekzekutimin e të gjithë iranianëve besnikë-operativë të CIA-s, duket se ka çuar në motive të atilla që amerikanët të hapin arkivat e operacioneve të tyre për instalimin e Khomeinit në Teheran, pasi në një mënyrë jo të zakonshme në një raport të rrjetit televiziv britanik ‘BBC Persia’ thuhet se, amerikanët kanë qenë të përfshirë për të larguar sundimin e mbretit Shah. Me ardhjen e Khomeinit në pushtet falë mbështetjes së përfolur nga CIA – i cili ishte manifestuar si njeriu i varfër dhe i zgjuar i Iranit, vendi u bë edhe një dramë tjetër e gjatë, tragjike dhe e rrezikshme për popullin e Republikës Islamike të Iranit, e cila i dha jetë asaj që njihej si “Bomba Atomike e Njeriut të Vrafër’ një armë njerëzore, e cila i kishte gjunjëzuar amerikanët dhe detyruar tërheqjen e tyre të përkohshme nga Lindja e Mesme rreth 30 vjet më parë.

Dokumentet e para nga “BBC – Persia” sugjerojnë se administrata e Karterit në Uashington ka hapur rrugën për kthimin e Khomeinit në Iran duke mbajtur ushtrinë nën kontroll për të parandaluar ndonjë përpjekje grusht shteti kundër ardhjes së tij. Seyed Ruhollah Khomeini, lideri karizmatik i revolucionit iranian, kishte shkëmbyer disa komunikime me SHBA-të nëpërmjet një ndërmjetësi, derisa ishte i mërguar në Paris. Dokumentet e reja zbulojnë se Khomeini kishte bërë një veprim të dyfishtë për të siguruar menjanimin e rrezikut të planeve të tija të veprimit nga amerikanët, pavarësisht pse ky personalisht iu kishte shkruar zyrtarëve amerikanë për të ofruar bashkëpunim nëse ata do ta ndihmomonin ngritjen e tij në pushtetin e republikës, e cila do të shëndërrohej nga një monarki në një Republikë Islamike.

Raportimi i BBC-së sugjeron se administrata e presidentit Xhimi Karter kishte besuar në zotimet e Khomeinit, dhe në fakt hapi rrugën për kthimin e tij duke parandaluar kryengritjen e personelit ushtarak të monrakisë. Rrjeti televiziv ‘BBC Persia’ pretendon se kanë parë një përmbajtje të projektuar si përgjigje e Uashingtonit e cila ishte përgatitur ndaj Khomeinit. Përmbajtja e porosisë thuhet se kishte përshëndetur komunikimin e drejtpërdrejtë të Ajatollahut, por Uashingtoni pretendon se asnjëherë nuk ishte dërguar tek ai.

Një analizë e vitit 1980 e lëshuar më parë, por pa u vërejtur si dokument i deklasifikuar i CIA-s me titull Islami në Iran, tregon përpjekjet fillestare të Khomeinit për të ndërtuar komunikim besnikërie me SHBA-të – – 16 vjet para revolucionit në vitin 1963.

Megjithatë, në shkurtin e ardhshëm populli iranian do të jetë ose duke e festuar një festë [të pandershme!] – të 38-vjetorit të Revolucionit të tyre Islamik – në të cilin duket se pjesërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britania, do të mund të marrin kredi për këtë ndodhi, ose iranianët mbase do të përballen me një luftë e cila përsëri do të përpiqet të përmbys të njëjtit udhëheqës, instalimin e të cilëve Perëndimi duket se e ka ndihmuar 38 vjet më parë.

»Pa drejtësi nuk ka paqe, por derisa insistimi amerikan i veprimit të padrejtë të mos jetë shuar, atëhere mundësi për paqe nuk do të ketë!« Vedat Xhymshiti

»Pa drejtësi nuk ka paqe, por derisa insistimi amerikan i veprimit të padrejtë të mos jetë shuar, atëhere mundësi për paqe nuk do të ketë!« Vedat Xhymshiti

CIA ndryshon tefsirin (komentimin) e KUR’AN-IT dhe Qerbelanë!

Syed Ayatollah Khomeini i cili kishte ardhur në pushtet si udhëheqës i revolucionit iranian, iu kishte thënë ndjekësve të tij se ata mund të shkatërrojnë veten e tyre për të shpëtuar revolucionin, duke i siguruar që në procesin e vetëvrasjes ata të vrasin sa më shumë armiq që të jetë e mundur rreth tyre! Kjo shënon lindjen e “bombës atomike të të varfërit,” – e cila është arma e njeriut që gjunjëzoi armiqtë e tij. Edhe pse Kur’ani, veçanërisht e ndalon vetëvrasjen, Khomeini ishte njeriu që kishte promovuar këtë dhunë shkatërrimtare. Në të kaluarën, Kur’ani thoshte se ai që bëhej një martir në fushën e betejës, ishte i bekuar pasi Perëndia kishte zgjedhur kohën dhe vendin për vdekjen, por, Khomeini e kishte ndryshuar këtë. Ai e bëri atë, duke u bazuar në një prej riteve qendrore të shiitëve në Islam. Çdo vit, shiitët marshojnë duke qarë sakrificën e themeluesit të tyre Husain. Ata e bëjnë atë duke lënduar veten e tyre, si akt simbolik i pendimit ndaj mëkateve të tyre duke i ri-luajtur vuajtjet e Husainit. Khomeini iu kishte thënë ndjekësve të tij se akti përfundimtar i pendesës ndaj mëkateve nuk ishte vetëm lëndimi i vetës, por vetëvrasja do të ishte një akt i një shpërblimi të lartë pendese, duke siguruar se një veprim i tillë do të ishte për të mirën më të madhe të revolucionit.

Khomeini kishte mobilizuar këtë forcë kur vendi u sulmua nga Iraku. Irani u përball me pothuajse humbje të përcaktuar nga Iraku, veprimi i të cilëve ishte mbështetur nga SHBA-të. Iraku kishte armë shumë më superiore, shumë prej tyre të furnizuara nga Amerika. Si shpëtim nga ky sulm, revolucionarët iranianë morën dhjetëra mijëra djem të rinj nga shkolla, i hipën ata në autobusë dhe i dërguan në vijën e frontit. Puna e tyre ishte që të ecnin nëpër fushat e minuara të armikut, me qëllim të hapjes së boshllëqeve të cilat do të lejonin ushtrinë iraniane për të kaluar nëpërmjet fushave të minuara, të padëmtuar. Ky veprim ishte një vetëvrasje e parë e organizuar në një shkallë të gjerë. Kjo sakrificë njerëzore u përkujtua në varreza gjigante në të gjithë vendin. Kroje që rrjedhnin me ujë gjak-kuq lavdëruan këtë lloj të ri të martirizimit, veprim ky që ishte ide e re, një armë e pandalshme njerëzore që presidenti Assad [babai i Assadit të sotëm!] e kishte huazuar nga Khomeini. Derisa arma njerëzore udhëtonte, ajo do të shndrrohej në diçka edhe më vdekjeprurëse, në vend se vetëm duke vrarë veten, vetëvrasësi do të merrte eksplozivë dhe do të hynte në zemër të armikut dhe pastaj do të shkatërronte veten, duke marrë dhjetra apo edhe qindra së bashku me të, kjo do të bëhej e njohur si “shpërthimi vetëvrasës”.

Në tetor të vitit 1983, dy kamikazë çuan kamionë në kazermat e marinsave amerikanë në Bejrut, duke shkaktuar shpërthim masiv, duke vrarë 241 amerikanë. Vetëvrasësit thuhej se ishin anëtarë të një grupi të ri militant për të cilët askush nuk kishte dëgjuar në atë kohë. Ata e quanin veten “Hezbollah”, dhe edhe pse shumë prej tyre ishin iranianë, ata besohet se ishin nën kontrollin e Sirisë [sipas një dokumentari të rrjetit televiziv britanik BBC!] dhe agjencitë e saj të zbulimit. Besohej se Presidenti Assad, ishte duke i përdorur vetëvrasësit e shpërthimeve me bombë si përfaqësues të tij për të sulmuar Amerikën. Ky akt kishte detyruar Presidentin Reagan që brenda katër muajve të tërhiqte të gjitha trupat amerikane nga Libani, vetëm disa ditë pasi sekretari i shtetit George Shultz kishte thënë se: “Ne u paralizuam nga kompleksiteti që kemi hasur.” Pra, amerikanët u detyruan të largoheshin. Për Presidentin Assad ishte një arritje e jashtëzakonshme duke e bërë udhëheqësin e vetëm arab që mundi amerikanët dhe i cili e kishte detyruar largimin e tyre nga Lindja e Mesme. Ai e kishte bërë atë duke përdorur forcën e re të bombarduesve vetëvrasës, dhe forca që dikur ishte lëshuar nga Assad, do të përhapej me fuqi të pandalshme, por në këtë pikë, të dy Assadët dhe iranianët që e menduan dhe e krijuan atë, nuk po mund ta kontrollojnë më.

Sido që të jetë, fuqitë perëndimore me qëllim për të pushtuar Sirinë, këmbëngulin se Bashar Al-Assad ka qenë zgjidhja më e keqe për vendin, por më vonë doli se armiqtë e tij ishin më të këqinj se ai. Pra, Britania, Franca dhe Amerika filluan bombardimet ndaj luftëtarëve të nxitur mercenarë si arsyetim pretekstual për të mbledhur ‘ushtritë perëndimore’ përgjatë kufirit të territorit të Republikës Arabe të Sirisë. Mercenarët kukulla të Perëndimit që kanë pushtuar tokat siriane, tani janë duke i humbur tokat e pushtuara në Irak, me ç’rast do të krijojnë arsyetimin e mrekullueshëm pretekstual për ndërhyrjen ushtarake perëndimore deri në tokat sovrane të Sirisë. Derisa mercenarët e quajtur ISIS do të shtyhen brenda Sirisë, ata do të dobësojnë pozitat e forcave besnike të Presidentit Bashar Al-Assad, qëndrimi i të cilit në pushtet megjithatë duket të jetë lehtësuar si pasojë e gabimeve të kukullave mercenare perëndimore, të cilët detyruan Kremlinin zyrtar për të dërguar arsenalin e tyre ushtarak, në një përpjekje për të mbrojtur Sirinë nga ndonjë pushtim eventual perëndimor. Ndërhyrja e Moskës në situatën kaotike të Lindjes së Mesme është pasojë e politikës së jashtme amerikane, e mbështetur nga disa vende perëndimore që kishte për qëllim “ndërrimin e udhëheqësve të padëgjueshëm”, operacion i aprovuar dhe nisur në mandatin e Presidentit Obama që atëbotë e sot njihet si ‘Pranvera Arabe’. Kështu që, fuqitë botërore tani gjinden në një luftë e cila ka për qëllim të destabilizojë perceptimin e vërtetë të gjendjes në Siri, në mënyrë që të mund ta menaxhojnë çdo veprim të pamatur dhe të kontrollojnë masat shoqërore që do të mund të reagonin si veprim i kundërshtimit të veprimeve të padrejta të politikës së jashtme perëndimore, e cila është duke e përqafuar fiksimin e politikës së jashtme amerikane për të vënë kontroll të plotë mbi fushat e ‘arit të zi’.

Me betejën e Mosulit, mercenarët e ISIS-it përfundimisht do të largohen nga Iraku, ata do të strehohen në Siri, duke krijuar një mundësi të këndshme për nevojën e politikës së fuqive perëndimore për të çarë në dyert e hapura të botës së shqyer arabe, ku fuqitë botërore do të marshonin përpara drejt një kthimi të dytë e të ngadaltë por me siguri të përgjakshme në shkretëtirën e Lindjes së Mesme, në Republikën Arabe të Sirisë, në një rrugëtim drejt Republikës Islamike të Iranit.

Pa drejtësi nuk ka paqe, por derisa insistimi amerikan i veprimit të padrejtë të mos jetë shuar, atëhere paqe nuk do të ketë as në Lindje të Mesme e aq më pak për popujt e vendeve perëndimore, pasi ‘bomba atomike e njeriut të varfër’, duket të jetë një rrezik serioz që kërcënon jetët e qytetarëve të botës perëndimore për çdo ditë në pragun e tyre, si pasojë e dështimit të tyre për t’i kontrolluar pretendimet e padrejta të politikës së tyre të jashtme.


Burimet: WikiLeaks; NSA Archives; BBC; CNN; The New York Times; Foreign Policy; THEFrontliner.net; Britannica.com; “The Secret War with Iran: The 30-Year Clandestine Struggle Against the World” nga Ronen Bergman; reddit.com; The Guardian.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY